zoom

Day ArchiveDashamir Shehi: “Rama ik” dhe është një gjest politik, militantët e PS-së në Elbasan rrugeçër

Kryetari i Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, tha se personat që ofendonin dhe shanin kreun e Partisë Demokratike dje në Elbasan nuk janë mbështetës politikë, por ai i etiketoi si “rrugeçër”.

“Opozita shqiptare nuk është më e mira në botë, por jemi këtu në funksion të një ndryshimi të madh. Çfarë ndodhi në Elbasan, ju turrën Edi Ramës i thanë “Rama ik”, mund të ishte evituar, por i thanë “Rama ik” dhe është një gjest politik. Militantët e tjerë nuk thonë “Luli ik”, se nuk janë politikë, por janë rrugeçër. Kjo s’është politikë. Kjo është rrugaçëri”, tha ai.

Ai thotë se situata e djeshme ndodhi pasi vetë kryeministri Edi Rama e nisi fushatën në mënyre të pahijshme dhe denigruese për kundërshtarin.

“Pse ka degjeneruar atje, sepse kryeministri e filloi fushatën me rrugaçëri, nuk tha se Dashamir Shehi është i pazotë, tha se ai pi alkool. Ky projektoi rrugaçërinë në fushatë. Rama ka policët e shtetit, ka shërbimin sekret, ka gardën kombëtare”, u shpreh Shehi në emisionin “Ilva Noë” në Euroneës Albania.

“Diçka e keqe ka ndodhur”: Del biseda e Donald Trump me ish-zyrtarin e zgjedhjeve në Xhorxhia

Sapo është bërë publike biseda telefonike mes ish-presidentit Donald Trump dhe një zyrtari zgjedhor të shtetit të Xhorxhias, ku del qartë presioni që po ushtronte ish-presidenti ndaj zyrtarit për të zbuluar manipulime në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Në një bisedë para Krishtlindjes, zoti Trump dëgjohet duke folur me Frances Watson, mbikqyrës për hetimet në zyrën e Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias.

Gjatë bisedë, ish-presidenti thotë “Unë fitova gjithçka në Xhorxhia. I fitova zgjedhjet në Xhorxhia. E di mirë, fitova me diferencë të madhe. Diçka ka ndodhur.

Diçka e keqe ka ndodhur. Shpresoj se po bëni diçka, shpresoj se po analizoni që nga dy vjet më parë dhe jo thjesht tani, përndryshe do të ishte sikur të kontrollosh firmën në një çek, gjë që nuk nënkupton asgjë.

Nëse në hetime analizon periudhën që dy vjet më parë në komunën Fulton, do të zbulosh gjëra të pabesueshme,” thotë zoti Trump.

Zyrtari Watson i përgjigjet ish-presidentit se Xhorxhia “është e interesuar vetëm të zbulojë të vërtetën” dhe konfirmon se ekipi i tij po zhvillon një hetim.

Presidenti Trump humbi në Xhorxhia me një diferencë prej 11,779 votash nga mbi 5 milionë vota në total. Në këtë shtet votat u numëruan tre herë, gjë që rezultoi në certifikimin dy herë të rezultatit që nxori fitues demokratin Joe Biden.

Telefonata mes ish-Presidentit Trump dhe zotit Watson ishte parathënie e telefonatës së shumë diskutuar që ndodhi disa ditë më pas mes zotit Trump dhe sekretarit të shtetit në Xhorxhia, Brad Raffensperger.

Në atë bisedë, e cila u mbulua intensivisht nga shtypi në janar, ish-Presidenti Donald Trump i bën presion zotit Raffensperger t’i “gjejë” një numër të mjaftueshëm votash për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në Xhorxhia.

Mbrojtja e Hashim Thaçit/ Specialja nuk ka juridiksion për gjykimin e tij

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka dorëzuar në Dhomat e Specializuara dhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, disa mocionet e parakohshme, e ku në njërën prej tyre kërkohet heqja e aktakuzës ndaj Thaçit, për siç thuhet, “mungesë të juridiksionit”.

Sipas mbrojtjes, akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit e tejkalojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara pasi “asnjë nga akuzat nuk kanë të bëjnë me pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës, të përpiluar nga senatori Dick Marty, për ‘trajtim johuman të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm me organet njerëzore në Kosovë’”.

Mbrojtja e Thaçit mbështetet në argumentet e saj se Dhomat e Specializuara janë themeluar për të zbardhur të vërtetën për akuzat e Dick Martyt. Sipas mbrojtjes Dhomat e Specializuara kanë ngritur aktakuzë pas përfundimit të afatit të përkohshëm pesëvjeçar, që sipas tyre ka përfunduar në gusht të vitit 2020.

 “Debatet në Kuvendin e Kosovës për ndryshmet kushtetuese konfirmojnë se qëllimi ishte që të kufizohej juridiksioni i Dhomave të Specializuara, vetëm për pretendimet e raportit të Dick Martyt dhe që ky institucion të kishte mandat pesëvjeçar… Referenca për raportin e Dick Martyt në Kushtetutë nuk është thjesht ‘mbiemër’, por është qenësore për juridiksionin e saj”, thuhet në mocion.

Ndërkaq, në mocionin tjetër, që është depozituar, mbrojtja argumenton se Thaçit i janë shkelur të drejtat për një dëgjim të drejtë dhe të paanshëm publik si dhe për një gjykim të drejtë, brenda një kohe të arsyeshme. Ndaj, ata kërkojnë nga gjyqtari i procedurës paraprake që ta lirojë Thaçin dhe të hedhë poshtë akuzat ndaj tij.

Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Najada Çomo: U befasova nga ftesa e Ramës, kam votuar gjithmonë…

Najada Çomo pas 36 vitesh angazhimi tek shërbimi i Infektivit iu bashkua edhe politikës. Në një intervistë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC, ajo u shpreh se mbeti e habitur nga ftesa që i bëri kryeministri Edi Rama.

E dyta në listën e Partisë Socialiste të kandidatëve për Tiranën, Çomo tha se për të, ftesa për të kandiduar ishte një vlerësim. Po ashtu, mjekia tregoi se nuk ka kartë anëtarësimi në ndonjë parti, por shtoi se ka votuar për Partinë Socialiste.

Ndërsa, e pyetur nëse e ka lënë përgjysmë “luftën” në frontin e parë në këtë kohë pandemie, Çomo tha se do të jetë në punë deri në pacientin e fundit me Covid-19.

“Puna ime aty është e ditur, edhe në fushën klinike edhe akademike. Besoj në vullnetin e dëshirës që kam për ta bërë punën mirë…Në spital nuk kam munguar. Nuk bëhet fjalë që të mund të ketë pasur menaxhim të pandemisë nga ana politike. Ajo që ju keni parë ne kemi punuar fort, mjekë infermierë, sanitarë. Unë do të vijoj të jem në krye të detyrës deri në pacientin e fundit me Covid.”

Sa i përket bindjeve të saj, nëse janë ato të majta apo të ndonjë drejtimi tjetër, Najada Çomo tha se ka qenë votuese e Edi Ramës, por shtoi se nuk beson se kryeministri e dinte këtë gjë.

“Nuk kam kartë politike. Kam qenë e çuditur në sensin e mirë për ftesën.” 

I 23-ti në Tiranë, socialistët e motivojnë me Jordan, Xhafaj: Kemi një betejë të madhe përpara

Ish-ministri Fatmir Xhafaj i 23-ti në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së në qarkun e Tiranës vijon fushatën duke mos e humbur shpresën për një tjetër mandat në parlament edhe pse është i ndërgjegjshëm se do t’i duhen 10-12 mijë vota. Ai thotë, se në 25 prill votohet mes shtetit dhe pushtetit, drejtësisë dhe padrejtësisë.

“Na ndajnë veç 41 ditë nga zgjedhjet historike të 25 Prillit ku votohet mes shtetit dhe pushtetit, drejtësisë dhe padrejtësisë. Bashkë me Florin, Kryetarin e PS10 dhe Karolinën administratoren e Njësisë 10 diskutuam gjerë e gjatë mbi objektivat dhe sfidat që na presin. Krahas ideve dhe pikësynimeve që nuk harrojnë kurrë t’i sjellin në tryezë, këtë herë miqtë e mi të zonës 3 sollën bluzën e kapelën me nr. 23 të legjendës së basketbollit Michael Jordan. Kemi një betejë të madhe përpara në të cilën bashkë si familje socialiste do triumfojmë me sukses. FORCA” shkruan ai.

  

EMRAT/ U kapën me laborator heroine, dënohen tre shqiptarët në Itali

Tre shqiptarë janë dënuar nga një gjykatë në Itali për shkak se u kapën në korrik të këtij viti me një laborator heroine.

26-vjeçari Mateo Gjepali dhe 33-vjeçari Armand Kapidani u dënuan me 10 vjet, përveç një gjobe prej 82,000 euro, ndërsa Gazmend Gjepali, kushëriri 28-vjeçar i të akuzuarit të parë, mori një dënim prej 11 vite burgim dhe 84,000 euro gjobë.

Mateo Gjepali, i konsideruar si një element i shquar i trafikut të drogës në veri të Italisë, i kishte shpëtuar arrestimit duke u strehuar në Shqipëri. Pasi u kthye në Shqipëri, falë bashkëpunimit midis Policisë së Shtetit, SCIP dhe forcave të policisë shqiptare, ai u ndalua dhe më pas u ekstradua për në Itali.

Mateo Gjepali është trafikanti i dytë i arrestuar me urdhër paraburgimi të lëshuar nga autoriteti gjyqësor Ravenna si pjesë e operacionit të drogës “Pike”, pas kushëririt të tij 28-vjeçar Gazmend Gjepali, i cili u njoftua për urdhrin e arrestit në fund të 2019. Të dy, së bashku me një anëtar të tretë, u akuzuan për posedimin e mbi 40 kg heroinë dhe armë, të gjetura në një apartament në Ravenna në shkurt 2018.

Në veçanti, operacioni arriti kulmin në arrestimin e Gazmendit, në 15 Shkurt 2018 në Rimini nga agjentët antidrogë të Ravenna ndërsa ai po dorëzonte dy kilogramë kokainë dhe një kg hashash të fshehur në makinën e tij, të përgatitur posaçërisht për transportin e drogës.

Në të njëjtën mbrëmje të arrestimit, gjatë kontrolleve në shtëpitë e përdorura, së bashku me kushëririn e tij Mateo dhe Armand Kapidani, 33 vjeç, anëtari i tretë i grupit, ende i arratisur, u gjet një laborator për prerjen, përgatitjen dhe paketimin e një sasie të madhe të heroinës

 

FOTO/ Hapet gropa 6 metra pranë Syrit të Kaltër

Një ngjarje e pazakontë është raportuar të ketë ndodhur në Krongj, pranë Syrit të Kaltër, ku është hapur një gropë me diametër 10 metra dhe thellësi 6 metra.

Shkak i hapjes së kësaj grupe mund të ketë qenë edhe rrëshqitja e dheut, si pasojë e motit të keq me reshje të vazhdueshme shiu që ka përfshirë vendin.

Ndërkohë, policia ka vendosur edhe një perimetër sigurie, për të shmangur çdo incident.

 

Navalny e quan “kamp përqendrimi” burgun ku ndodhet

Udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalny, konfirmoi zhvendosjen e tij në një burg në qytetin Pokrov.

Në një postim në Instagram, Navalny e cilësoi institucionin si “një kamp përqendrimi”.

Ai tha se është zhvendosur në burgun IK-2 para tre ditësh dhe se është mirë.

“Më duhet të pranoj se sistemi rus i burgjeve më befasoi. Nuk kisha ide se mund të bëhej një kamp i vërtetë përqendrimi, 100 kilometra nga Moska”, shkroi Navalny në Instagram.

“Kjo është ajo që unë e quaj shtëpia ime e re: kampi ynë miqësor i përqendrimit”, tha ai.

Më 3 mars, Navalny është zhvendosur në Qendrën e Paraburgimit Nr. 3, në qytetin Kolçugino.

Navalny është arrestuar në Moskë në janar, menjëherë pasi është kthyer nga Gjermania, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.

Ai është helmuar në muajin gusht, në një fluturim drejt Siberisë, ndërsa laboratorët perëndimorë kanë treguar se agjenti i përdorur në sulm ka qenë Noviçok.

Navalny ka fajësuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për urdhërimin e sulmit ndaj tij, por Kremlini e ka mohuar përfshirjen.

Në fillim të shkurtit, një gjykatë në Moskë ka konstatuar se Navlny, gjatë kohës sa ka qenë në Gjermani, ka shkelur dënimin me kusht, të shqiptuar më herët për një rast të përvetësimit të fondeve.

Gjykata ka urdhëruar Navalnyn që të shërbejë dy vjet e gjysmë në burg.

Në fillim të këtij muaji, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar disa zyrtarë rusë për, siç është thënë, përfshirje në helmimin e Navalnyt.

Duke reaguar pas sanksioneve, Moska e ka porositur Perëndimin që “të mos luajë me zjarr”.

Silva Bino: Studimet faktojnë sigurinë e AstraZeneca. Është efektive tek të gjithë mbi 18 vjeç

Vaksina AstraZeneca është efikase dhe e sigurtë për t’u injektuar tek të gjithë personat mbi 18 vjeç. Vec organizmave zyrtare shendetësore europiane edhe ekspertët e vaksinimit në Shqipëri sigurojnë se AstraZeneca është e provuar klinikisht se nuk krijon asnjë problem shëndetësor.

“Është një vaksinë tepër efektive. Janë kryer vlerësime ehe në botën reale si në Angli edhe në Skoci, të cilat kanë treguar efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës pas provave klinike”.

Pas mësuesve, AstraZeneca do të injektohet dhe tek të moshuarit. Bino hedh poshtë aludimet se vaksina shërben vetëm për grupmosha të caktuara.

Provat klinike treguan që kjo vaksinë është efikase edhe në grupmoshën mbi 55 vjeç. Kjo është arsyeja pse Komiteti i Ekspertëve në Gjermani, Itali dhe në Francë e kthyen vendimin e tyre dhe vaksina rekomandohet 18 vjeç e lart”.

Edhe kreu i qeverisë Edi Rama teksa ndoqi nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve në Lezhë siguroi se vaksina nuk ka asnjë problem.

Ndryshe nga vaksina Pfizer, që kërkon kushte të veçanta të ruajtjes se saj, AstraZeneca mbahet në temperaturë plus 2, plus 8. Që prej nisjes se procesit të vaksinimit, 3 mjekë janë infektuar në javën e parë pas injektimit të vaksinës, këto raste Bino thotë se mund të shtyjnë dozën e dytë të vaksinës pasi kanë imunitet mjaftueshëm.

Shqipëria në 24 orët e fundit: Rekord të vaksinuarish, 543 raste të reja dhe 15 viktima nga Covid

Ministria e Shëndetësisë deklaroi sot se janë konfirmuar 543 raste të reja me koronavirus, ndërsa kanë marrë dozat e vaksinave 2478 persona.

Gjithashtu, në spitalet dedikuar Covid-19 kanë ndërruar jetë 15 qytetarë.

Ndërkohë betejën me virusin e rrezikshëm e kanë fituar 578 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit.

NJOFTIMI:                                                                                  

COVID19/ Ministria e Shëndetësisë:  2478 të vaksinuar, 3001 testime, 578 të shëruar, 543 raste të reja dhe 15 humbje jetë në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangni grumbullimet, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19.

Vijon procesi i vaksinimit antiCOVID në qendrat e përqendruara të vaksinimit në të gjithë vendin. Gjatë ditës së sotme janë kryer 2478 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 27,365 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.

Situata e COVID19 në 24 orët e fundit është si vijon: Janë kryer 3001 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 543 qytetarë.

Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki:

188 raste në Tiranë, 38 në Shkodër, 37 në Durrës, 31 në Fier, 30 në Elbasan, 19 në Sarandë, 17 në Mirditë, 16 në Vlorë, 15 në Përmet, nga 13 raste në Gjirokastër, Pogradec, nga 12 raste në Lushnje, Finiq, 11 në Delvinë, 9 në Kamëz, nga 8 raste në Kurbin, Kavajë, 7 në Gramsh, nga 6 raste në Pukë, Kuçovë, nga 5 raste në Korçë, Mallakastër, Peqin, nga 4 raste në Krujë, Lezhë, Berat, Prrenjas, nga 3 raste në Librazhd, Kolonjë, nga 2 raste në Rrogozhinë, Vau i Dejës, Dibër, Patos, nga 1 rast në Gjirokastër, Ura Vajgurore.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 578 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 81,061 që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 485 pacientë, 32 në terapi intensive, nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.

Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 15 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19: 4 qytetar nga Tirana, 3 qytetar nga Fieri, 2 qytetar nga Korça, 2 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Kruja, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Skrapari, të moshave 34- 82 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë apo referim në spital.

Statistika (15 Mars 2021)

Raste të reja ditore        543

Të shëruar në 24 orë     578

Të shtruar në spitale      485

Humbje jete në 24 orë   15

Testime ditore                 3001

Testime totale          514,076

Raste pozitive           118,017

Raste të shëruara       81,061

Raste Aktive                34,896

Humbje jete                2060

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë      23271

Fier          2586

Durrës      1635

Vlorë       1606

Shkodër       1318

Gjirokastër 1209

Korçë        910

Lezhë         749

Elbasan         570

Berat      395

Dibër    347

Kukës        300