zoom

Day ArchiveShteti inekzistent, banorët hapin rrugën me lopata (Video)

Dëbora e rënë në fundjavë shkaktoi probleme në shumë rrugë të vendit. Në akse kryesore, si në Lezhë, Laç e Qafë – Thanë qindra makina u bllokuan për orë me radhë. Borëpastrueset nuk ishin në rrugë. Në asnjë nga këto akse nuk u hodh kripë. Por edhe pse reshjet kanë pushuar prej 2 ditësh, në mjaft zona ka ende probleme. Në veri të vendit, banorët po i hapin vetë rrugët e fshatrave, pasi strukturat shtetërore janë inekzistente. Shihni videon më poshtë.

Vetëvendosja fiton zgjedhjet në Kosovë

Një parti anti-korrupsion dhe anti-establishment, Vetëvendosje, ka fituar zgjedhjet në Kosovë, të zhvilluara mes përkeqësimit të situatës për shkak të coronavirusit në vend.

Kështu shkruan Euronews, sipas të cilit , partia e majtë reformuese, e udhëhequr nga Albin Kurti – i cili u rrëzua si kryeministër në zgjedhjet e mëparshme në vitin 2019 pas vetëm 51 ditësh në detyrë – triumfoi në zgjedhjet e pesta parlamentare që kur shteti shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Sipas Euronews, partia e Kurtit është rritur nga aleanca e tij me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, e cila kohët e fundit u bashkua me partinë e tij pasi u largua nga LDK, e cila fitoi vetëm 13% të votave.

Ndërkohë, Vetëvendosje ishte shumë më përpara se konkurrentët e saj me 48%.

Zgjedhjet vijnë pas një viti në të cilin pandemia e coronavirusit ka thelluar krizat sociale dhe ekonomike në vend.

Mediat ndërkombëtare raportojnë për fitoren e VV-së

Tashmë një nga ekonomitë më të varfra të Evropës, shkruan më tej Euronews, Kosova tani po lufton përmes një “rënieje” të shkaktuar nga pandemia, me vaksinimet që pritet për të filluar për popullsinë prej 1.8 milion.

“Këto zgjedhje ishin një referendum mbi drejtësinë dhe punësimin, kundër korrupsionit dhe kapjes së burimeve shtetërore”, citohet mediumi në fjalë, Albin Kurtin në fjalën e tij të fitores. “Kjo është e pashembullt në Kosovën e pasluftës”.

‘Njerëzit po presin ndryshimin’

Mbështetësit e Albin Kurtit akuzojnë ata që kanë dominuar prej kohësh pushtetin në Kosovë se kanë dëmtuar vitet e para të pavarësisë të territorit të populluar kryesisht nga shqiptarët.

“Njerëzit janë duke pritur për ndryshim, ata janë duke pritur për t’i dhënë fund problemeve që na helmojnë, të tilla si korrupsioni dhe nepotizmi”, ka thënë për AFP, Sadik Kelmendi, një mjek, para votimit.

“Ne gjithashtu duhet t’i kushtohemi luftës kundër një virusi që ka vrarë më shumë se 1,500 njerëz, …”, ka shtuar ai.

Ndryshe kujton Euronews, Vetëvendosje kishte përfunduar e para në dy zgjedhjet e mëparshme legjislative por u rrëzua nga koalicionet e përfunduara nga të tjerët.

Në vitin 2020, qeveria e Albin Kurtit, i cili kaloi dy vjet në burgjet e ish-presidentit serb, Slobodan Millosheviq, kishte qëndruar në pushtet për rreth 50 ditë para se të rrëzohej.

Këtë herë, lëvizja e tij mund të shpresojë të formojë një qeveri shumicë nëse bashkohet me partitë që përfaqësojnë pakicat, të cilat kanë 20 vende nga 120 në Parlamentin e Kosovës.

Krahasimi/ Kush shënoi rritje e kush pësoi rënie në zgjedhjet e Kosovës

Qytetarët e Kosovës gjatë ditës së djeshme, 14 shkurt 2021, iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës.

Sipas rezultateve të deritanishme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të marrë 48,17% apo 374 mijë e 913 vota nga qytetarët e Kosovës.

Krahasuar me zgjedhjet e mbajtura në vitin 2019, ku LVV kishte marrë 26,27% apo 221 mijë e 001 vota, shihet se në zgjedhjet e këtij viti ka arritur ta përmbysë këtë rezultat.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ndonëse doli e dyta si parti në nivel vendi  krahasuar me përqindjen e votave që kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2019, del se PDK ka pasur rënie të elektoratit, shkruan Telegrafi.

Në këto zgjedhje sipas rezultatit të deritashëm PDK ka 17,35% apo 135 mijë e 009 vota, kurse në zgjedhjet e tetorit 2019, kishte arritur të marrë 21,23% apo 178 mijë e 637 vota duke u renditur si partia e tretë.

 

Ajo çfarë të gjithë ka habitur në këto zgjedhje është rënia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në rezultat, ku në zgjedhjet e mbajtura dje ky subjekt renditet i treti.

Në këto zgjedhje LDK deri tani ka 13,18 % apo 102 mijë e 616 vota. Kurse në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK ishte renditur e dyta me 24,54% apo 206 mijë e 516 vota.

Rënie në këto zgjedhje pati edhe partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këto zgjedhje sipas rezultatit preliminar të KQZ-së ka arritur të marrë 7,42% apo 57 mijë e 774 vota. Në zgjedhjet e tetorit 2019, AAK e cila ishte në koalicion me PSD-në kishte marrë 11,51% apo 96 mijë e 872 vota.

Në anën tjetër Nisma Socialdemokrate në këto zgjedhje nuk e ka kaluar pragun sipas rezultatit të deritanishëm ku ka marrë vetëm 2,59% apo 20 mijë e 189 vota. Në zgjedhjet e vitit 2019 kjo parti e cila ishte në koalicion me AKR-në dhe PD-në kishte marrë 5,02% apo 42 mijë e 083 vota.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 të drejtë vote kishin 1 milion e 763 mijë e 472 qytetarë.