zoom

Aktualitet

“Është nënë me dy fëmijë”, avokati i ish-drejtoreshës së Veliajt: Nuk i ka mohuar pagesat

Avokati i drejtoreshës së Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, Vjola Sterjos, ka folur pas seancës së mbajtur ditën e sotme ku kjo e fundit u la në burg nga gjykata pas akuzave për mashtrim.

Gjatë një deklarate për mediat avokati zbuloi se Sterjo nuk ka mohuar se ka marrë pagesa nga personat të cilët e kanë denoncuar, ndërsa shtoi se pagesat janë bërë për dokumente dhe aplikime që Sterjo ka bërë për përfitimin e granteve në turizëm për këta qytetarë.

Sipas tij Sterjo ka qenë e gatshme të bashkëpunojë me prokurorinë, por mbajtja në burg e saj ia heq këtë mundësi, ndërsa shtoi më tej se bëhet fjalë për një nënë me dy fëmijë e cila ka probleme shëndetësore të vërtetuara.

“Masa për Vjola Sterjon ka qenë e vendosur nga gjykata nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të mashtrimit. Sot është realizuar marrja në pyetje. Në këtë seancë e përfaqësuar prej meje. Ajo nuk mohon asgjë në marrëdhënie me personat që kanë bërë kallëzim. Pretendohet për një marrëdhënie juridike civile duke marrë përsipër të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për të aplikuar për projekte dhe grante në fushën e turizmit.

Bëhet fjalë në zonat turistike. Duke qenë e punësuar në disa studio part time si konsulente ka hyrë në këto marrëdhënie me qytetarët. Janë përgatitur dokumentacione dhe dosje, janë bërë aplikime për leje zhvillime dhe ndërtimi por që nuk janë finalizuar. Kjo ka krijuar edhe lodhjen e qytetarëve që kanë kërkuar ndërprerjen e marrëdhënies juridike me këtë shtetase, duke kërkuar edhe kthimin e pagesave. A qëndrojnë ato vlera nuk mund ta them dot. Ka pasur një marrëdhënie komunikimi mes tyre. Ata kërkojnë ndërprerjen e marrëdhënies së bashkëpunimit por nga ana tjetër janë kryer investime për përgatitjen e projekteve.

Ata i janë servirur prokurorisë. Çështja ka nevojë për verifikime të thelluara. Ajo që ne kemi kërkuar sot në raport edhe me qëndrimin që ne kemi mbajtur është për t’i dhënë mundësinë që të jetë bashkëpunuese me organin e prokurorisë. Mbajtja e saj në burg ia heq këtë mundësi dhe unë këtë kam insistuar që t’i jepet mundësia në një masë tjetër që të realizojë mbrojtjen e saj. Bëhet fjalë për një grua nënë e dy fëmijëve, e vërtetuar me probleme shëndetësore”, deklaroi ai.