zoom

Aktualitet

SPAK rihapi çështjen e Gërdecit/ Familjarët e 7-vjeçarit të vdekur: Kemi frikë se politika do ndërhyjë sërish

13 vite nga tragjedia e Gërdecit ku humbën jetën 27 persona pas shpërthimit të municioneve, familjarët e Edison Durdës, 7-vjeçarit që mbeti i vdekur folën në emisionin “Open”.

Edhe pse SPAK rihapi çështjen, ata nuk janë shprehur shumë optimistë. Zamira Durda, e cila gjithë këto vite nuk ka reshtur për të vënë drejtësi për humbjen e jetës së djalit të saj të vogël shprehet se ka frikë mos politika do të ndikojë sërish e nuk do të vendoset dot drejtësia për 26 jetët e humbura në një prej tragjedive më të mëdha në vend.

“Nuk kemi një shpresë të madhe, nuk kemi entuziazëm të madh. Kemi frikë se do të shkërmoqet gjatë rrugës, do të ndikojë politika”, tha Zamira Durdaj.

“Sot ndjeva sikur më rilindi djali se kisha vite që prisja, por prapë jam pesimist, nuk e di se si do vejë”, tha bashkëshorti i saj.

“Kërkesa ka dy muaj e gjysmë që është dorëzuar. Për ish ministrin nuk është një rigjykim sepse për të nuk ka pasur një gjykim ndonjëherë sepse ishte pezulluar për shkak të imunitetit. Në apel u pranua gjykim i shkurtuar pas 5 vitesh. Rekursi i saj është mbyllur në dhomë këshillimi me një vendim prej 100 faqesh. Nga ky gjykim presim që të rihapet dosja ‘Gërdeci’ e gjitha në tërësi jo vetëm për ministrin, të shikohet edhe si vepër korruptive dhe ne si familjarë të jemi pjesë e procesit penal. Politika ka pasur mburojë, kanë mbrojtur veten. Kemi qenë të gjykuar nga një bandë kriminale. Shpresa vdes e fundit, motiv i jetës sonë kjo është të vendosim drejtësi për Gërdecin. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa e drejta që është e shkruar, e provuar, vetëm vullnet pozitiv duam nga këta gjyqtarë”, tha ajo.