zoom

Politikë

Rama, negociator në konfliktin Turqi – Greqi? Kathimerini zbardh prapaskenat

Kur kritikët e Ramës u tallën, mbështetësit e tij në media u acaruan dhe i shumëfishuan mesazhet se kryeministri shqiptar po ndihmonte në përmirësimin e marrëdhënieve mes Turqisë e Greqisë.

Por a është Rama me të vërtetë negociator dhe a kanë Turqia e Greqia nevojë për një palë të tretë për t’u ulur në tryezë? Dhe nëse do të kishin, a do të kishin zgjedhur Edi Ramën?

Gazeta më e madhe në Greqi, Kathimerini, zbardh të gjitha prapraskenat. Ajo shkruan se Ramës iu kërkua të ndërmjetësojë nga ministri i Jashtëm turk Çavousoglou, por se ai në Athinë shkoi vetëm si lajmës dhe jo si njeri i ngarkuar nga të dyja palët që të zhvillojë negociata.

“Mbi të gjitha, ai (Rama) u largua nga Ankaraja me udhëzimin e ministrit të Jashtëm turk, Tsavousoglou, që ai të ishte ndërmjetësi në konfliktin greko-turk. Miqtë e tij të afërt në media e vlerësuan si një person me famë ndërkombëtare, të aftë për të zgjidhur mosmarrëveshjet gjeopolitike. Opozita ironizonte “medaljet” turke për Kryeministrin e tyre, megjithatë “Bild”-i gjerman gjithashtu e paraqiti atë si një “ndërtues urash” midis Greqisë dhe Turqisë – në fakt, kjo bëri që ai të merrte bekimin e Angela Merkelit”, shkruan gazeta greke.

Por si është e vërteta e “negociatorit” Rama? Dhe a është e vërtetë që negociatat mes Athinës dhe Ankarasë do të zhvillohen në Tiranë? Kjo e fundit, larg mendsh, sipas Kathimerinit.

“Ideja se vizita e Ramës në Turqi dhe në Greqi më pas ndihmoi në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke i bërë dy shtetet të ulën në tryezën e bisedimeve, është e pranuar nga të gjithë. Jozyrtarisht, burime diplomatike pranë tri palëve i thanë “Kathimerini”-t se asgjë nga këto nuk është e vërtetë, duke vënë në dukje se “është absolutisht e sigurt që nëse Greqia dhe Turqia do të kishin nevojë për dikë në këtë rol, ata do ta kërkonin atë në një vend ose te një lider me fuqi dhe prestigj ndërkombëtar” dhe se çështja e diskutimeve Turqi-Greqi ishte mbyllur para udhëtimit të z. Rama në Ankara. Ai (burimi diplomatik) shtoi se të dyja palët kishin arritur madje edhe të përcaktonin edhe vendin ku do të zhvillohej takimi, duke hedhur poshtë kështu thashethemet për Tiranën, me të cilat ministri i Jashtëm turk shoqëroi dhuratat parazgjedhore”, shkruan Kathimerini.

Cila është pra arsyeja e ndalesës së shkurtër të liderit shqiptar në Athinë?

Është fakt që axhenda në marrëdhëniet dypalëshe mbetet e pasur dhe e hapur, me çështjen e parë dhe të vazhdueshme siç është marrëveshja verbale e të dyja palëve për të referuar përcaktimin e Zonave të detit Jon midis Greqisë dhe Shqipërisë në Tribunalin e Hagës. Sidoqoftë, asnjë zhvillim i menjëhershëm nuk parashikohet para zgjedhjeve shqiptare në prill, diçka që është theksuar nga ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias.

Negociatat e para teknike mes dy vendeve u zhvilluan të hënën. Asnjë zyrtar shqiptar s’ishte prezent, siç ndodh në rastin e negociatorëve dhe Tirana as u përmend gjëkundi si vendi që do të presë ndonjë takim të radhës.

Kathimerini thotë se kjo ishte një nga dhuratat në pakon e madhe elektorale që Erdogan i dha Ramës.Natyrisht, për propagandë në fushatë zgjedhore.

“Kështu, duke u kthyer në atdheun e tij, Rama ishte ngarkuar me dhurata parazgjedhore, të tilla si një spital Covid-19 në qytetin e Fierit, para zgjedhjeve të pranverës, një filial të Universitetit Politeknik të Ankarasë në Tiranë dhe premtimet për investime turke”, thekson Kathimerini./ Zoom.al