zoom

Aktualitet

100 mijë euro gjobë biznesmenit grek/ Klodian Lekocaj sfidon policinë, krijon bandë nga qelia

46-vjeçari shqiptar Klodian Lekocaj, rikthehet sërish në objektiv të policisë greke. Kësaj radhe ndaj tij është ngritur akuza e gjobëvënës ndaj një biznesmeni grek. Policia greke njoftoi zyrtarisht dje se ka ngritur akuzë ndaj shqiptarit, të cili i ka sekuestruar edhe telefon celular në qeli. Gjatë operacionit janë arrestuar në zonën e Agia Varvara, Athinë edhe një çift grekësh 43 dhe 38 vjeç që vepronin nën urdhrat e Lekocajt, ndërkohë që janë shpallur në kërkim 2 shtetas të tjerë të njohur me pseudonimet “For You” dhe “Linos”.

Lekocaj i akuzuar për porositjen e disa vrasjeve në Greqi, përfshirë dhe ngjarje të ndodhura brenda burgut, duket se jo vetëm që vazhdon aktivitetin e tij kriminal i patrazuar brenda qelisë, por tashmë ka arritur deri në krijimin e një bande gjobëvënësish me synim, sipas policisë, të vendosë nën kontroll shitjen e drogës në zonën e Agia Varvarës.

Përmes një video-telefonate Lekocaj ka shantazhuar një tregtar veshjesh në Agia Varvara duke i kërkuar 100 mijë euro. Në orën 17:10 të datës 1 mars, ai telefonon viktimën dhe i thotë në një bisedë të regjistruar nga policia: “Vendos paratë mbi shëndetin dhe familjen. Ti nuk kupton, përndryshe do të gjej një mënyrë tjetër…”

Sipas të dhënave të deritanishme, krimineli shqiptar i kërkonte 100 mijë euro tregtarit të Agia Varvarës dhe fillimisht kishte dërguar bashkëpunëtorët e tij në dyqan për ta kërcënuar dhe shpjeguar se kush qëndronte pas zhvatjes, duke i thënë  “…është ai që vrau një djalë në Agia Varvara disa muaj më parë dhe goditi një tjetër me thikë”.

Viktima u përpoq t’i shpjegonte se nuk ka aq para për t’i dhënë, por sa herë e kontaktonte nga burgu, Lekocaj e kërcënonte gjithnjë e më shumë. Ai i thoshte se nuk është në të mirën e viktimës të japë gjysmën e parave, pra 50 mijë euro. Në fakt, policia regjistroi shqiptarin duke i thënë viktimës “…vetëm xhamat e dyqanit të të godas, me të madhin jo me të voglin, do të shkatërrohesh fare sepse xhamat dhe gjërat e tua janë padyshim 50.000 euro. Të intereson të vraposh spitaleve? Nëse më jep, do të fitosh nga unë. Më mirë të jemi miq, ndaj më jep një përgjigje të mirë.”

Në fund të muajit shkurt, viktimës së zhvatjes, teksa po udhëtonte me makinën e tij në zonën e Agia Varvarës, i është bërë një atentat.

Klodian Lekocaj, një personazh kontrovers është kthyer në qendër të vëmendjes vitet e fundit për shkak të etiketimit nga media greke si kreu i së ashtuquajturës “Mafia e Burgjeve”.

Se sa realisht ai është i tillë, kjo nuk dihet, pasi vetë ai në daljet publike në media e konsideron veten “të varfër”, “të pafajshëm”, “të përdorur” ndërkohë që faktet, dëshmitë dhe përgjimet që disponon policia greke të çojnë drejt mendimit se realisht Lekocaj ka pasur dhe ka ende një rol të rëndësishëm në botën e nëndheshme të grupeve kriminale shqiptare dhe greke.

Në dhjetor forcat speciale te policisë greke EKAM i bënë një tjetër “vizitë” në qeli atij, me qëllim gjetjen e ndonjë prove për vrasjen enigmatike të 18 dhjetorit në Athinë, ku u ekzekutuan Kreshnik Cercizaj dhe Armando Ogranaja.

Lekocaj nuk ka se si të jetë ekzekutor se ka vite i burgosur, por shpesh nëpër përgjime e dëshmi ka dalë se çuditshëm ka lidhur fije të grupeve kriminale duke u venë ose atyre ose vetes në dispozicion vrasës me pagesë.

I tillë ishte dhe rasti i disa muajve më parë, kur në 14 shtator 2022 policia greke arrestoi rastësisht dy shqiptarët Viktor Çala 39 vjeç dhe Andi Beqiri 23 vjeç. Ata u kapen në Athinë, pasi në automjetin e tyre u gjetën të fshehura 2 Kallashnikovë dhe 1 thikë, ndërsa në banesë 1 pistoletë.

Hetimi i policisë zbuloi se Çala ishte autor i vrasjes së një greku dhe tentativës së vrasjes së një shqiptari, të dyja ngjarje të ndodhura në muajin korrik 2022. Për vrasjen e grekut ai deklaroi se ishte urdhëruar nga Klodian Lekocaj, për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Kështu “Klodit”, i cili në kartelat greke njihet edhe si “Luli” apo “Ilia” i’u shtua së fundmi edhe një akuzë tjetër pas akuzave te mëparshme për urdhërimin e vrasjeve te Avokatit grek Mixalis Zafiropoulos, të të burgosurit Arbër Bako, të të burgosurit Bardhyl Tusha, përfshirje në tentativën e vrasjes së një pakistanezi, gjobëvënës ndaj ish-Ministrit grek Dimitri Tsovola, ndihmë në arratisjen e të burgosurve Leonard dhe Elvis Pepa etj.

Klodi ne fakt veç urdhrave, ka precedentë dhe si autor i drejtpërdrejte. Fillimisht është arrestuar në 1997 për vjedhje.

Në 2003 ishte arratisur nga Burgu i Volo,s ndërsa në 2005 në Agio Pantaleimona plagosi me armë zjarri në bark një shqiptar e me pas në të njëjtin vend në 2006 bashkë me dy shqiptarë plagosi me thikë një bashkëkombës të tijin.

Në 2013 u arrestua për trafik droge dhe vjedhje dhe u dërgua në burgun e Korfuzit ku pasi mori leje u arratis në 2014 dhe pas disa ditësh bashkë me Arbër Bakon mori pjesë në tentativën e grabitjes me pasojë plagosjen e një egjiptiani ndërsa në 31 tetor 2014 bashkë me Arber Bako, Olti Dulce dhe një polak kryen një vrasje në zonën e Metaksurgios.

Përfundimisht Lekocaj u arrestua ne nëntor 2014 në Sepolia, në shoqërinë e Dhimo Mecit, një gjirokastrit i përfshirë ne disa vrasje me pagesë ne Greqi dhe që në momentin e kapjes ishte person ne kërkim.

Arrestimi i tyre erdhi pas ngjarjes së Mikrolimanos ku Arbër Bako me një Kallashnikov plagosi disa klientë të një lokali në zonë.

Klodian Lekocaj është përmendur të ketë pasur lidhje edhe me shqiptarët Elvis Bogdani dhe Ari Papa të ekzekutuar më parë në Greqi, por nuk ka prova ta lidhin atë me këto vrasje përpos dyshimeve.