zoom

Aktualitet

1 vit pandemi, sa viktima shkaktoi covid-19 në Shqipëri

Në 9 Mars të vitit 2020 në shërbimin Infektiv u shtruan dy personat e pare me Koronavirus. Babë e bir të emërtuar si pacientët zero u identifikuan nga Instituti i Shëndetit Publik pikërisht një vit më parë në 8 Mars të 2020.

Sot koronavirusi numëron 112 897 të infektuar në total prej të cilëve 75190 janë shëruar dhe 1939 persona kanë ndërruar jetë. Shkurti i 2021 është muaji i rekordeve të kësaj pandemie, me 25369 të infektuar dhe 416 viktima.

Mbërritja e virusit Sars Cov 2 në Shqipëri në 9 Mars vuri në alarm qeverië e cila menjëherë pezulloi mësimin në të gjithë sistemin arsimor në vend, mbylli aktivitete kulturore dhe sportive ndërsa u pezulluan dhe fluturimet me disa vende të konsideruar zone e kuqe.

Rritja e rasteve me Covid-19 ditë më vonë çoi në ashpërsim të masave. Në 13 Mars u ndalua lëvizja e lire e qytetarëve, u mbyllën bare dhe institucione ndërsa në rruge doli policia.

4 ditë më pas qeveria vendosi të kalojë të gjithë vendin në karantinë totale fillimisht për një periudhë 2 javore dhe më tej ka vijuar me masa të përcaktuara në bazë të ecurisë së shpërndarjes së virusit.

Një vit nga nisja e qarkullimit të Covid-19 në vend shkollat vijojnë me mësimin e alternuar, universitete vetëm online dhe lëvizja e lirë është e ndaluar pas orës 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

Veç masave kufizuese për të parandaluar përhapjen e Covid-19 që prej 11 Janarit ka nisur dhe injektimi i vaksinës anti-Covid, fillimisht tek bluzat e bardha dhe te moshuarit mbi 80 vjeç dhe pritet të shtrihet tek mësuesit dhe personat mbi 65 vjeç. Deri me tani janë kryer 19,663 vaksinime.